Po lexoja sot, Dr. Ratib Nabulsin, një dijetar dhe thirrës islam damasken, shumë i dashur dhe i frekuentuar, sidomos nga rinia dhe klasa intelektuale siriane.
Kam pasur fatin të ndjek shumë nga derset e tij, hytbet e ligjëratat e pasura me urtësi dhe analiza të mrekullueshme të ajeteve kur’anore dhe haditheve të shumta profetike.
Ai ngelet një thirrës islam elitar në botën tonë, që e karakterizon ndërthurja e dijes me logjiken, shkencën, detajet e arritjeve bashkëkohore të saj, transparenca shpirtërore, eksperiencat e shumta të jetuara, prakticiteti në trajtimin e argumentit fetar, por jo vetëm.
U ndala sot tek një pasazh nga urtësitë e tij, kur ai lëshon një thirrje të sinqertë e të guximshme drejt reflektimit dhe kthimit nga burimi i krenarisë sonë legjitime islame. Një ftesë, që i vlen secilit, sidomos të rinjve tanë, që shpesh hutohen në jetë, i pengon pesimizmi të bëjnë përpara, politika të gabuara u nxinë jetën, u shkatërrojnë të ardhmen, u mbysin embrionin e zhvillimit, i kthejnë në manekinë dhe pasues të një mendimi, një ideje a një projekti shoqëror, që nuk i dihet zanafilla, as qëllimet, as pasojat, vetëm pasi është bërë vonë mundësia e kthimit…
Një mesazh, që ju ftoj ta lexojmë me vëmendje e të përpiqemi ta dëshmojmë me tërë fuqitë tona në jetën tonë të përkohëshme, me bindjen se ne mundemi, ne jemi të aftë të bëjmë më shumë për fenë tonë, për ymmetin tonë, për lavdinë shekullore të kombit tonë, tokës, traditave e besës shekullore të katragjyshërve tanë muslimanë shqiptarë!
“Unë shpresoj që njeriu të JETOJË në rrugë të All-llahut, të jetë forcë për ymmetin e tij, t’i japë diçka të shtrenjtë ymmetit të tij, të përmirësojë punën e tij, të mjaftohemi me specializimin e tij nga specializimet perëndimore!
Ne kemi një nevojë të domosdoshme për të rinj që jetojnë në rrugë të All-llahut, sepse Islami është vetë JETA! Sepse çdo ajet i Kur’anit nënkupton zbatueshmëri e, nëse ne neglizojmë në praktikimin e tij, do ta paguajmë shtrenjtë!”
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 15 qershor 2016