
“Shkodran, shkodran..!”, thirri njëri prej anëtarëve të grupit tonë. Kaq ishte e mjaftueshme që emocionet të ndizeshin edhe më shumë, në atë vend, ku vetëm emocionet nuk mungojnë. Janë prezente më shumë se asnjëherë tjetër, më fuqishëm, më pranë zemrës e ndërgjegjes!
“Iskodra- Hacioğlu Hasan- Doğum: 1895- 20 yaşında”! Ky është shënimi i gdhendur në përmendoren e shehidit 20 vjeçar nga Shkodra, Hasan Haxhia, i lindur në vitin 1895!
Në mesin e pllakave të panumërta prej mermeri, përmendore të disa prej të rënëve në Çanakkale, ndodhej edhe i riu Hasan nga Shkodra.
Nuk mund ta fshija dot emocionin që m’u krijua kur e lexova emrin e shehidit dhe prejardhjen e tij.., ishte qyteti im, qyteti ynë (i Hasan Haxhisë dhe imi), një lidhje e fortë shtesë që më bënte të ndjeja respekt, nderim, pse jo dhe krenari për të dhe për vete!
Ndjeja krenari për të, sepse i ishte paracaktuar të ishte prej shehidëve të këtij ymeti, një dëshmi e madhe që nuk e arrin kushdo e kurdo në jetë! Krenari për vete, pasi ndodhesha para përmendores së një shehidi, me të cilin, përveç lidhjes kryesore; besimit e fesë, më lidhte edhe një element shtesë, vendlindja!
Për pak minuta, të bëhet se ai është aty përballë teje, të buzëqesh me nurin e shehidit dhe të tregon për atë moment fatlum të marrjes së dëshmisë së dëshmorit në rrugën e mbrojtjes së besimit, fesë, nderit, tokës, ymetit…
Të bëhet se Hasan Haxhia, me shpirtin e tij të pastër, është aty para syve të tu duke të rrëfyer episodet kryesore të betejës, së cilës i dhuroi edhe më të shtrenjtën gjë në jetë, shpirtin! Të bëhet se Hasan Haxhia, me përkujtimin e tij të shtrenjtë e madhështor, qëndron burrëror (edhe pse është i ri, me martirizimin e tij ia ka kaluar burrave!), e shikon përtej horizonteve, nga Shkodra e tij e dashur, të cilën e braktisi në emër të besimit, e së cilës iu kthye shehid… (natyrshëm Shkodra e Shqipëria as që e di se ai është diku, as që i intereson, sepse ai e ka emrin Hasan dhe, sot është kohë laramanësh..!?)
Ndonëse, vitet që pasuan martirizimin e tij, ishin të errëta, të hirta, të zezuara nga hijet e femohimit (ku doemos mohohej çdo vlerë e lidhur me besimin) për Shkodrën e krejt Shqipërinë, sot, emri i Hasan Haxhisë mori dimensione që e tejkalojnë periudhën e heshtjes dhe të harresës së emrit të tij… Hasan Haxhia, me shpirtin dhe kujtimin e tij, iu rikthye Shkodrës burrë, trim, besimtar, shehid…
E lumja Shkodër për shehidin e saj! E lumja Shkodër për shehidët e saj!
Natyrshëm, e meriton Hasan Haxhia dhe shehidët e tjerë shkodranë të Çanakalesë një përmendore në zemër të qytetit! Përmendore nderi dhe krenarie për krejt Shkodrën!
Mëshira e All-llahut qoftë mbi Hasan Haxhinë dhe vëllezërit e tij të rënë në Çanakkale, si mbrojtës të denjë të besimit e dinjitetit njerëzor! Mëshira dhe begatia e All-llahut qoftë mbi heronjtë e besimit, në mesin e të cilëve edhe shehidi shkodran Hasan Haxhia…
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, në çdo 18 mars…