“Kur do të çlirohet Islami ynë nga grabitësit e tij?”

“Kur do të çlirohet Islami ynë nga grabitësit e tij?”

“Kur do të çlirohet Islami ynë nga grabitësit e tij? A nuk mjafton kjo që komplotojnë armiqtë e tij kundër tij?

E grabitën Islamin, e depozituan dhe e fallsifikuan, ata, një grup prej atyre që hiqen si muslimanë, një pjesë e të cilëve ishin vrastarë terroristë, një pjesë ekstremistë të izoluar, një pjesë krijues mitesh e bidatesh, një pjesë nxitës të urrejtjes dhe sektarizmit, që jetojnë për t’u hakmarrë vllau ndaj vëllasë, një pjesë dijetarë tradicionalistë, pa shije, pa ngjyrë e pa aromë!

Të gjithë me mjekra, të gjata e të shkurtra, por pa mend, ndërsa zemrat e tyre si ato të ujqve-pula?

Ku është elita? Ku është urtësia? Ku është mesatarizmi dhe ripërtëritja?”

Kjo është një thirrje, e publikuar nga Dr. Salahudin Ahmed Keftaro, një burrë i ditur e largpamës, që në tre dekadat e fundit ka kaluar mbi supe momente nga më kontradiktoret, nga drejtues i suksesshëm i Fondacionit Islam më të madh në Lindjen e Mesme, në foltoret e qendrave kryesore botërore të Islamit e Krishtërimit, nga konferencat ndërkombëtare, islame e ndërfetare, të kalibrit të lartë, tek izolimi, nga intervistat për mediat më prestigjioze të botës, tek heshtja e imponuar nga thirrja e urtësisë dhe largpamësia genetike… E, mbi të gjitha ngelet një burim garant i urtësisë dhe i leximit të vëmendshëm të realiteteve botërore, atyre islame veçmas.

Në fakt, kjo thirrje duhet të na përfshijë të gjithëve nga pak, për të dalë nga bataku i qindra “Islameve”, sajesave, kotësive, pluhurit shekullor, fetvave me datë të skaduar, interpretimeve legjendare e mitologjike, ekstremizmit mercenar, provincializmit të shitur për përkushtim, injorancës për dije, budallallekut për urtësi, këmbënguljes plot ego në lexime, frikës dhe shitjes së shpirtit për tolerancë, e kështu me radhë!

Ku është elita? Ku është urtësia? Ku është mesatarizmi dhe ripërtëritja, në një kohë, kur përherë e më tepër del në pah një tendencë gjithandej e dukshem që përkthen në heshtje atë frikë të madhe, që kthehet në realitet shkatërrimtar: “çështja i është ngarkuar në dorë jofamiljarëve të saj” dhe imazhi real i fesë po kthehet në mall të abuzuar në duar grabitësish të pafytyrë!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër