Sot e mot, të shumtë janë ata, që vazhdojnë të diskutojnë rreth përplasjes së besimit dhe fesë me çështjet e ndryshme të jetës; duke dashur të mbajnë gjallë këtë frymë artificiale përplasjeje në mes tyre.
Në fakt, besimi dhe feja, i janë dhënë njeriut si garanci për rregullimin e jetës dhe ruajtjen e ekuilibrave në të. Fakti që Kur’ani përmend se nuk kemi lënë gjë pa e përfshirë në të, do të thotë qartë e saktë, se kudo në jetë ka vend për prekjet e besimit dhe fesë, si alternativë garante e suksesit, drejtësisë, paqes e harmonisë natyrale.
Në shënimet e kësaj dite, dua të rikthehem tek leximet e mendimit dhe gjurmëve të dijetarit të shquar shkodran, Hafiz Ali Kraja (1898-1974), i cili ka një vështrim krejt natyral rreth kësaj teme. Ja si shkruan ai në një prej librave të tij:
“Asht krejt e vertetë se Besimi Islam nuk âsht nji Besim i rí; por i amshuem. Në daçin t’a pranojnë njerzët në daçin jo, aj Besim mbetët gjithnji i saktë.
Por çka se pranimi ka me i sjellë dobinë njerëzimit. Besimet e rrêjshme janë zhdukun me njiherë, por sa besimtarët e tyne ju kanë këthye shpinen. Besimi Islam nuk humbi kurrë porsi shkencat qi nepër padijení të njerzimit humbin nga nji herë vleftën e tyne të vërtetë, ashtu edhe Besimi islam humbi po vleftën e tij. Të thojë kush të dojë çka t’i dishrojë andja e tij: Zoti âsht nji e krijues i kujdesshëm i gjithçkafes! E Muhammeti (S.A.) jo se e çpiku, por e kumtoj e fuqizoj kët të vertetë me gjith detajet e saja shkencarake, morale, e praktike; i’a vue njerzimit përpara qi të korrte dobí prej sajë.
Burimet shkencarake të besimit qi kishin nisë m’u tha, i njomi edhe nji herë. Me predikimet e Muhammetit (S.A.) hyeni rishtas në nji fazë evolucionit Besimi. Sekcionet konike f.v. në Gjeometrí mbeten të mëshefta me mija vjetsh në fushë të theorís pa dalun në lamën e praktikës; në vênd qi Besimi kishte humbun fare edhe formën theorike të tijnë e tuj kenë kështu u çfaq me nji herë në lamë të theorisë e të praktikës si shum të verteta shkencet.
Për kët arsye Besimi islam u lëshoj vend të meritueshëm ndergjegjies, arsyetimit e nevojëvet të jetës e të gjallnimit; tuej deklaruem prap në anë tjetër se në themel âsht nji e i bashkuem me besimet qiellorë tjerë.
Qeh besimi qi mësoj e porositi Muhammedi (S.A.). Besimi i amshushëm âsht ky!” – (Hafis Ali Kraja: “A duhet Feja- A e pêngon Bashkimin Kombtár?”, Shkodër 1934, fq. 23-24.)
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 7 gusht 2016