“O Njerëzit e Zotit..!”, thirrja e urtë e Hafiz Sheuqet Boriçit… (4)

Shënimet e ditës së sotme, dua t’i përqendroj tek një mesele shumë me vlerë, që ia vlen të trajtohet, sot e mot; mesatarizmi dhe ruajtja e ekuilibravenë trajtimin e marrëdhënieve me jetën e përkohshme dhe ahiretin, jetën e përtejme dhe të përjetshme.

Ndoshta, një udhëzim i drejtë drejt ekuilibrave në këtë marrëdhënie, është thënia e urtë e Abdullah ibn Amr ibn Asit, kur thotë: “Puno për këtë botë, si të jesh i përjetshëm në të dhe, puno për jetën e ardhshme, sikur do të vdisje nesër!”

Kësaj teme i është qasur edhe Hafiz Sheuqet Boriçit, në ligjërimet e tij. Në vijim të prezantimit të hytbes së tij, dua të ndalem pikërisht tek këshillat e tij të urta, teksa udhëzon, se: [Ai njeri që preokupohet me rrojtjen e tij tue pasë parasyshë edhe Banimin e Fundit të tij, âsht krejtësisht njeri i vlefshëm. Ndërsa ai qi preokupohet vetëm prej jetesës a rrojtjes, tue heqë dorë prej Jetesës së Fundit, konsiderohet prej njerëzvet të damtuar dhe të humbur!

Ai, i pari âsht mâ afër mezatares, ai âsht prej ekonomëvet. Kurse ai, të cilin e preokupon vetëm Jetesa e Fundit dhe nuk i ven veshin Jetesës së kësaj bote, âsht i mjerë. Sepse cilido që kujton se të lanunit e përpjekjes edhe të mundimit për me fituë shujtën (në këtë botë) âsht ascetizmë, për të cilin flet Sheriati, gabohet në kujtimin e tij, sepse ascetizm don me thanë: mos me i dhanë botës kujdesin tënd ma të madh mos mu preokupuë prej saj krejt koha e jote tue neglizhuë dhe tue lanë kështu mbasdore Ditën tande të Fundit.

Të parët t’onë të mirë në pikpamje besimi, ishin më të fortë dhe më të plotë në vërtetësi se ne, ata mbështeteshin mbi Zotin për të gjitha veprat e tyre, tue pasë besim të plotë ke Ai për çdo gjâ. Megjithë këtë ata i epshin rândësi rrojtjes së tyre, nuk lejshin asnji udhë të ndershme, qi të çon në fitim, për pa e ndjekun dhe as nji derë të mbyllur për pa u munduë për t’a çelë.

Dhe Omer Ibn-el-Hattabi, Zoti u kënaqtë prej Tij, thoshte: “Le të mos rrijë ndokush për pa kërkuë shujtën dhe të kalojë kohën duke thënë: O Zot më nep muë shujtën; ju e dini se qielli nuk hedh as ar as sermë!”] – (Revista “Kultura Islame”, viti 1, fruer-mars, 1940-XVIII, (Muh.-Safer, 1358), nr. 6-7, f. 269-270).

Prandaj, kuptoni, o muslimanë!

vijon, inshallah

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 17 gusht 2016