Na u mbyll edhe një Derë e Madhe e Dijes…

Ditën e sotme, mora lajmin e dhimbshëm të ndërrimit jetë të njërit prej dijetarëve dhe mendimtarëve më të spikatur të Historisë Islame në rang botëror, Dr. Mervan Shejkhulerd, në Damaskun e zemrës.

Dr. Mervan Shejkhulerd ka qenë mësuesi ynë. Një burrë i urtë, njeri i veçantë, komentues i pashembullt i historisë islame; asaj të Pejgamberit (a.s), emevitëve dhe abasitëve në veçanti. Autor i disa librave, ku spikat mbi të tjerat, vepra me titull: “Historia Profetike – Themelet thirrëse dhe civilizuese”, Damask, 2000.

Teologët e brezit tim, por edhe ata para dhe pas nesh, janë dëshmitarë sesi tejmbushej salla me studentë të krejt viteteve, kur Dr. Shejkhulerd kishte leksion.

Në Damask thuhej se, tre janë baballarët e Historisë Islame: Dr. Sheuki Ebu Khalil, Dr. Suhejl Zekkar dhe Dr. Mervan Shejkhulerd!

Dhe, kam bindjen se, ne që patëm bekimin e Zotit të ishim studentët e tij, e dëshmojmë me zemër e shpirt këtë konstatim të madh, në hak të Mësuesit tonë, që sot u larguar nga kjo botë, drejt jetës së përtejme.

E kemi përkthyer edhe në shqip mendimin dhe gjurmën e Mësuesit tonë, ku në një material që pata sjellë në shqip, nga arabishtja dhe publikuar me 25 korrik të këtij viti, ndër të tjera, ai shkruan: “Prej dëshmive më madhështore të natyrës së diversitetit, që All-llahu ka vendosur në natyrë, është edhe diversiteti në njerëz, në popuj, në gjuhë, në ngjyra, në interesa, në vise, në jetëgjatësi, në raca, në cilësi e veçori, në shumësi e pakësi, në dije e injorancë; vërtetësi, që i dëshmojmë në lëvizjen e jetës.

Po të përvetësohen rregullat e natyrës hyjnore, si aleat jetik, ato e shndërrojnë rrjedhën e diversitetit në marsh suksesi, që i shpëton popujt, grupet etnike dhe racat njerëzore nga prishja, tirania, luftërat dhe fatkeqësitë!

All-llahu i Madhëruar urdhëron: “O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek All-llahu, më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat)! All-llahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” – (Kur’ani, El-Huxhuratë: 13)”

Ndërkohë, në komunikimin e fundit që pata me zotninë e tij, para disa ditësh, teksa e lajmëroja për idenë e përkthimit të një seri shkrimesh nga prodhimtaria e tij, më shkruante:

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim.

I nderuar Myfti e vëlla, Muhamed Sytari.

Es-selamu alejkum ve rahmetull-llahi ve berekatuhu.

Më gëzoi shumë letra jote, këtë mëngjes. Më bëri të hap dosjen e kujtimeve tona, ku vizatohen qartë tiparet e personalitetit tuaj fisnik dhe bashkëshortes tuaj të nderuar, vëllezërve; Vili (Ervil Kuçi), Lavdrim dhe vëllezërve të tjerë shqiptarë, që ishin për mua vëllezër mendje, shpirti e zemre!

Ju falënderoj shumë për përkthimin e shkrimit tim, sikurse shpresoj t’i përktheni krejt shkrimet e mia, sidomos ato që lidhen me të Dërguarit e All-llahut, që fillojnë me Hz. Ademin (a.s) dhe, që mendoj se, përmbajnë një nxitje besimore dhe edukative drejt ndërtimit të qytetërimit njerëzor!

Vëlla Muhamed,

I lutem All-lahut të jeni mirë; ti dhe familja jote, vëllezërit dhe Shqipëria, sikurse lutem për ty të kesh përparim të vazhdueshëm në punën dhe thirrjen tënde elitare!

Ju falënderoj!

Es-selamu alejkum ve rah etull-llahi ve berekatuhu

Tashmë, edhe ky mesazh dhe kjo letër malli, nga një Mësues zemre, nga një burrë i madh e studiues elitar, do të rreshtohet në arkivin e “Dyerve të Mbyllura”, prej ku buron mirësia e të shkuarve tanë, para të cilëve kemi lidhur BESËN…

Kushedi edhe sa do të sprovohemi me largimin e Mësuesve tanë nga kjo botë, deri një ditë.., ku lutemi dhe shpresojmë se, të gjithë së bashku do tubohemi tek Burimi i Resulull-llahut (a.s), ku shpresojmë të pijmë prej duarve të tij…

Të mbuloftë All-llahu me Rahmetin e Tij, Ustaz…

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër, 25 nëntor 2016