Ngushëllim që vlon në shpirt…

Me kokën e ulur për tokë, me zemrën e copëtuar nga dhembja, me sytë e tharë nga loti i fshehur e i turpëruar… Shpresë e pashuar vitesh, si vitet e thata të egjiptianëve të Jusufit (a.s), me mendje e zemër nga Shami Sherifë, njerëzit, vendet…

Me ndjenja të irrituara nga pamundësia e dhënies një dorë ndihme, një sup mbështetjeje, një fjalë balsam a një vështrim mëshire atje, ku vlerat e humanizmit valëviten prej shekujsh si bajrak i bekuar, i zbritir nga lartësitë e paqta…

Me lutje të vazhdueshme e përgjërime të përhershme para Derës së All-llahut, para duarve të Cilit nuk humbet asnjë lutje, asnjë përgjërim… Eh, i mjeri Sham Sherifë… Eh, i shtrenjti Sham Sherifë!..

Me bindjen se sprovat e kësaj bote janë sinjale që aktivizojnë fijet e padukshme të nervave të fjetur, neglizhente e të përhumbura në labirintet e kolonizimeve barbare e shpirtzeza, mbi këtë ymet…

Me bindjen se Drita e agimit të ri mbi Ymetin Islam, është nisur të rrezatojë mbi errësirat shpuese në thelb të qytetërimeve të shpirtit e lëndës, zemrës e mendjes…

Për FËMIJËT e Sirisë, që digjen për së gjalli nga zjarri i bombardimeve katile në sytë e injorimit ndërkombëtar e hipokrizia e një bote në dekadencë vlerash…

Për FËMIJËT e Sirisë, që mbyten të fjetur nga gazi helmues i njeriut pa Zot, pa fé, pa karakter, pa ndërgjegje, i zhveshur nga dinjiteti njerëzor e mëshira instiktive…

Për FËMIJËT e Sirisë, që dëshmojnë me sytë e tyre të pafajshëm, fytyrën e shëmtuar të një “qytetërimi” pa Zot, që vërteton devijimin e pashembullt të një Njerëzimi të mjerë, si “Të mjerët” e Hygoit, në buzë të greminave…

All-llahu ju pastë në mëshirë e mbrojtje, se botës sonë ia kanë humbur rrugën..!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 24 nëntor 2016