Ky lexim i realitetit, në avanguardë të rizgjimit dhe rimëkëmbjes, më pëlqen! Lexime të tilla që vijnë nga Lindja, i shërbejnë edhe vendeve në tranzicion intelektual e besimor, në qorrsokak e dilema të stërzgjatura si pasojë politikash të dështuara në respektimin e tabanit shpirtëror e intelektual, edhe tek ne!
E vë para duarve tuaja, sidomos në duart e thirrësve islamë, teologëve dhe njerëzve vullnetmirë, që u ka ardhë në majë të hundës tërë demagogjia, mllefi, meskiniteti, abuzimi me pushtetet, urrejtja dhe krijimi i situatave artificiale (të të gjitha llojeve e natyrave) në këtë botë të çoroditur nga shkelja e të drejtave, krimi, vrasjet e shkatërrimi, krijimi i klimës së kiametit, korrupsioni, imoraliteti, por jo vetëm… Shqipëria, edhe këtu, nuk ngelet dot rast ‘sui generis’…
Dr. Salahuddin A. Keftaro, shkruan: “Rilindja nuk arrihet me shumësi dijetarësh, thirrësish islamë, mjekësh e inxhinierësh, por me dëshirën dhe vullnetin e NDRYSHIMIT dhe KRIJIMTARISË!
Dhe, në tërë këtë, feja ka një rëndësi të veçantë në Lindje përgjithësisht dhe në vendet arabe veçanërisht!
Prandaj, dijetarët dhe thirrësit e kanë për detyrë të kuptojnë rreziqet dhe të nisin prej fillimit në përqëndrimin e tyre në çështjet e interpretimeve të reja, përtëritjes dhe ndërtimit të një brezi të ri besimtar dhe të edukuar, që merr pjesë në ndërtimin e një të ardhmeje të lulëzuar!”
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 23 nëntor 2016