Ditën e sotme, gjatë seminarit me imamët e Shkodrës, mbajta disa shënime nga leksioni i dhënë nga Dr. Xhemal Safarti, studiuesi islam dhe thirrësi i afirmuar nga Jordania.
Tema e leksionit ishte: “Imamët, pishtarët e udhëzimit”, të cilën, ligjëruesi e zbërtheu me shumë finesë, duke kombinuar tekstet e shenjta me eksperiencën e jetuar, analizat e thella me urtësinë tipike të thurrësit të suksesshëm islam.
Më poshtë, kam dëshirë të ndalem tek disa piketa interesante, që vendosi sot, Dr. Xhemal Safarti, në leksionin e tij plot urti:
1. Imamët janë pishtarë ndriçues. Pishtari mund të ndriçojë, sikurse edhe mund të djegë, por imamët janë ndriçues, jo e kundërta!
2. Imamët hipin në minberin e Resulull-llahut (a.s). Ndërkohë, po të ishte i Dërguari i All-llahut në mes nesh, as që do mendonim të ngjisnim shkallët e minberit të tij! Kështu, imamët para se të hipin në minber, duhet ta pyesin mirë veten e tyre: “A do ta fliste Resulull-llahu (a.s) këtë që do të them?”
3. Imami është personaliteti kryesor në botën tonë islame. Nëse pishtari ka qëllim ndriçimin e ambientit, po imami çfarë qëllimesh i ka vënë vetes? – Pa dyshim, bashkimin dhe afrimin e njerëzve, jo përçarjen dhe largimin e tyre!
4. Imam Ibn Kajjim El-Xheuzijje i ka cilësuar imamët si njerëzit, të cilët firmosin në emër të Zotit të botëve. Kësisoj, imami e zhvillon të mirën e njerëzve, edhe nëse ajo është 1%!
5. Ju lutem, për hatër të Zotit, mos i sillni gabimet tona, si arabë, në këto vende e shoqëri të nderuara!
6. Imami bëhet pishtar, kur i vë për qëllim vetes udhëzimi e njerëzve. Sikurse kthehet në djegës, kur harron qëllimin e tij, devijon prej tij dhe angazhohet me të tjerët!
7. Resulull-llahu (a.s) nuk i ka thënë kurrë një jomuslimani: “O qafir!”, pra, o i pafé! As nuk i ka thënë kurrë një njeriu me dy fytyra: “O munafik!”, pra, o hipokrit! E, si më muslimanëve?! Ndërkohë, All-llahu i Madhëruar urdhëron në Kur’anin Famëlartë: “… dhe njerëzve u thuani fjalë të mira!” – (El-Bekare: 83).
Mendoj, se këto shtatë piketa, (në mesin e shumë ndalesave të dobishme, që u përmendën dhe u diskutuan sot), sikur të studiohen si duhet nga krejt të angazhuarit e sinqertë në shërbimet e tyre ndaj Thirrjes Islame, do të vlenin pa masë e do sillnin dobi pa fund në shoqërinë tonë shqiptare!
All-llahu e bekoftë rrugëtimin e gjatë të pishtarëve të Fesë së Tij, në tokën e Tij!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 22 nëntor 2016