Koha e jonë është koha e sprovave. Është momenti, kur nga të gjitha anët fryen veri. I acartë madje, shumë i pabesë, idhnak e dinak!..
Natyrshëm, në kësi rastesh, më shumë se kurrë lypset kurajo e krenari për të mbajtur kokën lart, plot dinjitet, besim e bindje, se këto realitete, si shumë e shumë të tjera në historinë tonë shekullore, do të mbeten pjesë e rëndomtë e një historie të paqytetëruar e meskine.., tamam-tamam, si shkumë deti, përzier me lym, që vetëm se ia trazon përkohësisht transparencën ujit, që asgjë s’e ndot dot.., as lymi e llumi, as shkuma e tallazet…
E, teksa lexoj e veçohem me të urtët dhe trashëgiminë e tyre, më del para sysh Hoxha i zemrës, i urti e largpamësi, i sprovuari si askush, durimtari dhe trashëgimtari i urtisë së shkuar, Shejkh Ahmed Keftaro, rahmet pastë.
Ka një këshillë, tamam për kohën tonë, tamam për ne. Ai këshillon të emigrojmë! Po, po, të emigrojmë e të largohemi..!
Ja si shprehet: “I dërguari i All-llahut (a.s) emigroi nga Mekka në Medine. Po ti, ku e ke hixhretin tënd? Emigrimi nuk është thjeshtë largim nga një vend i caktuar! Emigro drejt All-llahut dhe të dërguarit të Tij, hixhret zemre, hixhret shpirti, hixhret ndjesishë, hixhret dashnie dhe udhëzimi, jo hixhret vendi!
Hixhreti yt është të emigrosh me zemrën tënde drejt All-llahut… të emigrosh me veprat e tua drejt asaj që i pëlqen All-llahut… të emigrosh me edukatën drejt mirësjelljes që do All-llahu…
Në këtë emigrim të kesh shok rruge sinqeritetin tënd me All-llahun, shoqërinë e mirë, të pastër e të përzgjedhur..!”
Rahmet pastë, Hoxha…
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 7 shkurt 2017