Diku në Tiranë, në një aktivitet lokal është përkujtuar sot, në 50 vjetorin e fjalimit më famëkeq në historinë e shtetit shqiptar, propaganda dhe lufta e organizuar e shtetit shqiptar kundër fesë dhe aktivitetit të saj.
(Megjithëse më kishte ardhur një ftesë për të qenë i pranishëm në këtë aktivitet, nuk isha, edhe për shkaqe personale).
Ndërkohë, mjerisht, kjo datë kaloi pa një memorie serioze kombëtare, si nga institucionet shtetërore, (që sot duhet të kërkonin një falje të madhe publike ndaj Besimit dhe besimtarëve, por edhe ndaj krejt popullit shqiptar, për krimet barbare të komunizmit në këtë vend!), ashtu edhe nga institucionet fetare, që gjithësesi, duhet të ishin në avanguardë të këtyre organizimeve.
Gjithësesi, në këtë katrahurë, ku janë katandisur njerëzia dhe institucionet tona, nuk është për të ardhur habi nga askush dhe nga asgjë!?
Iu riktheva arkivit tim, ku gjeta një dosje të madhe me shënime të publikuara ndër vite e dekada, nga propaganda dhe lufta e egër kundër Islamit dhe muslimanëve, besimit dhe besimtarëve në Shkodër dhe mbarë vendin! Sa mjerim i madh! Sa pak reflektohet e sa shumë është harruar!
Për efekt të shënimeve të kësaj dite, po sjell në vëmendjen tuaj disa nga këto gjurmë, (që edhe në momente të ndryshme, i kam përmendur dhe besoj se në vazhdimësi duhen risjellë në kujtesë).
1. Banorët e bllokut nr. 1-2 të lagjes “Kongresi i Përmetit”, në Shkodër, i drejtoheshin diktatorit me një letër të hapur, ku mjerisht (në çdo sens të kësaj fjale), i shkruanin:
“Nën dritën e fjalimit tuej të 6 shkurtit, ju premtojmë se do të përqafojmë dhe do t’i vemë në jetë mësimet e partisë për zhdukjen e të gjitha mbeturinave, do të djegim me zjarr çfaqjet e hueja që pengojnë ecjen tonë përpara dhe do të kalitemi me moralin komunist.
Pak ditë ma parë ne vendosëm njëzani t’i kthejmë dy xhamijat e lagjes nga institucione të errësinës dhe vatra të propagandës së çfrenueme kundër interesave të popullit në qendra për edukimin dhe argëtimin e brezit të ri…
Tue kuptue damin që i sjellin familjes dhe shoqnisë zakonet prapanike dhe bindjet fetare, ne zotohemi:
1) Do të punojmë me të gjitha forcat si aktivistë të organizatës së frontit për të dërmue çdo gja që pengon, sado pak, ecjen tonë në rrugën e caktueme nga partia jonë e lavdishme.
2) Do të heqim të gjitha ceremonitë e festat fetare që kanë xanë vend deri tashti.
3) Nuk do të presim njeri për festat fetare. …” – [Letër e hapur e popullit të bllokut nr. 1-2 të lagjes “Kongresi i Përmetit”, Shkodër, me titull: “Do të heqim të gjitha ceremonitë e festat fetare”, në gazetën “Zëri i popullit”, v. 26, nr. 73 (5798), e dielë, 26 mars 1967, fq. 3. (Letra mban datën 19 mars 1967)].
2. Te “Rubrika e mjekut”, në gazetën “Jeta e re”, shkruhej se: “Në vendin tonë rinia dhe mbarë populli, të edukuar nga partia me qartësi politike dhe ideologjike, u çuan në këmbë, po fshijnë nga jeta dhe ndërgjegja mbeturinat e botës së vjetër dhe rreziku i fesë dhe paragjykimeve të saj është pakësuar…” – (Dr. Z. Ç., “Për t’i zhgulur me rrënjë, duhen njohur me rrënjë”, në gazetën “Jeta e re”, viti I, nr. 75, e shtunë, 30 dhjetor 1967, fq. 3).
3. Po nga Shkodra, buçiste një zë i kobshëm, që shëmtueshëm, thërriste: “Për vazhdimin e luftës kundër ideologjisë fetare, shumë i vlefshëm do të ishte krijimi i një muzeu ateisto-shkencor në qytetin tonë. Hapja e një muzeu të tillë, për të cilin janë krijuar mundësitë, do t’i vlente jo vetëm qytetit dhe rrethit tonë, por edhe rretheve të tjera”. – (L. F., “Përdorimi i emrave me origjinë fetare është i dëmshëm”, në gazetën “Jeta e re”, viti II, nr. 59 (134), e mërkure, 24 korrik 1968, f. 3).
E, muzeu ateist do të ndërtohej në Shkodër, për ta njollosur me turp historik Shkodrën e dijes dhe dijetarëve!
Për fat të keq të këtij qyteti, ajo farë e keqe e artikullshkruesit të lartpërmendur, vazhdon edhe sot e kësaj dite me propaganda islamofobe dhe osmanofobe, që kanë për qëllim thelbin e Islamit dhe muslimanët, simbolet tona dhe trashëgiminë tonë të mrekullueshme!
Këtyre u duhet prerë hovi me të gjitha mënyrat legjitime, sikurse duhet imunizuar rinia e jonë kundrejt helmit dhe vnerit të tyre të vazhdueshëm, që gjithësesi mbetet përherë edhe një kërcënim kombëtar për Shqipërinë tonë dhe vlerat e besimit në të! Kjo frymë e keqe, është përhapur masivisht edhe në Kosovë, prandaj duhet të kemi kujdes të madh!
Sot, më shumë se asnjëherë, ne si muslimanë, por jo vetëm, e kemi për detyrë të kapemi fort pas fesë sonë dhe të drejtat legjitime, si dhe të jemi shumë të vëmendshëm përballë sprovave dhe tendencave për ta njollosur fenë tonë me çfarë prodhohet ditë pas dite në laboratorët e së keqes, injorancës dhe fanatizmit të verbër!
Fjalët e Hafiz Ali Krajës, duhet të na frymëzojnë edhe sot, kur të ngjashëm me të shkuarit dhe etërit e tyre shpirtërorë, përpiqen të ushtrojnë mjerimin e tyre kundër Islamit dhe muslimanëve, sidomos nëpërmjet politikave të laicizmit selektiv, që janë bërë tashmë të neveritshme tek ne!
“… lus vllaznit musliman të mos gënjehen me fjalët e bukra t’asaj pjesë pseudo-intelektualsh, pse qellimi i këtyne âsht me dobsue konvikcjonin dogmatik në shpirtin e fetarve, e nuk janë fjalë të bazueme… mbi shkencë e filosofí” – (Hafis Ali Kraja, “A duhet feja- A e pengon bashkimin kombtár?”, Shkodër, 1934, f. VI).
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 6 shkurt 2017