“Ndërsa unë pas qenit të Lejlasë…”

Para ca ditësh, një mik imi damasken kishte publikuar një prej ndodhive të shumta të Mexhnunit të Lejlasë.

Kajs ibnul-Mulevvih, Mexhnuni, kishte parë qenin e Lejlasë dhe i ishte vënë pas, për ta çuar tek vendi i të dashurës së zemrës së tij.

Teksa rendej pas tij, Kajsi kaloi pranë ca personave që po faleshin. Kur u kthye, kaloi sërish pranë tyre. Ata i thanë: “Kalove pranë nesh, teksa po faleshim. Përse nuk u ndale të falesh me ne?”

Ia ktheu: “Vallahi nuk ju pashë! E, pasha All-llahun, sikur ta donit All-llahun si e dua unë Lejlanë, nuk do më shihnit!

Ishit para duarve të All-llahut e më patë, ndërsa unë pas qenit të Lejlasë e s’ju pashë?!

Përsëriteni namazin, All-llahu ju mëshiroftë!”

Pastaj m’u kujtua në hytbe e dijetarit të shquar damasken, Dr. Muhammed Said R. El-Buti. Isha prezent para duarve të tij, tek xhamia e tij e vjetër, në Kasijun.

Atë ditë, Doktori fliste për dashninë e All-llahut. U ndal tek disa vargje të njohura të Mexhnunit, i recitoi me elokuencën e tij plot mistikë, e teksa i dridhej gusha, na vështroi e vijoi me temën e tij…

“Kaloj pranë shtëpisë së Lejlasë,
Muret i puth me shumë mall,
Jo dashnia e mureve, zemrën ma dogji,
Por, dashnia e kujt brenda banoi!”

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 28 mars 2017