“Lutmuni Mua, Unë ju përgjigjem!”…

All-llahumme, Ty të qofshin krejt lavdet e botës, që na udhëzove në Islam!

All-llahumme, Ty të qofshin krejt falënderimet e gjithësisë, që na bëre pjesë të ymmetit të Vulës së të Dërguarve të Tu, Hz. Muhammedit (a.s)!

All-llahumme, Ty të qofshin krejt përuljet e sinqerta, plot dashni e mall, që e bëre Kur’anin Famëlartë, udhërrëfim të përhershëm për krejt ata që kërkojnë Dritën e Udhëzimit në errësirat e përplasjes së mendimeve dhe ideve!

All-llahumme, na mëshiro e na fal; Ti je Mëshiruesi dhe Falësi i vetëm, Mbreti i ditës së gjykimit, Ai që s’i bën padrejtësi askujt dhe, që gjithkush të është rob!

All-llahumme, o Zot i tanësisë, o Krijues i çdo gjëje pa mund, o Furnizues i çdo gjëje pa vështirësi, o Mbikqyrës i çdo gjëje pa huti; forcona në fenë Tënde dhe dhurona gradën e atyre, për të cilët the: “All-llahu u kënaq me ta dhe ata me All-llahun”!

All-llahumme, o Zot i të njohurës dhe i të panjohurës, i të dukshmes dhe i të padukshmes, i lëndores dhe i shpirtërores; bekoje me mirësinë Tënde kohën tonë, shëndetin tonë, pasurinë tonë, harmoninë në mesin tonë, dashninë në mesin e krijesave!

All-llahumme, o Zot i përhershëm pa fillim, o i Gjithëpushtetshëm pa mbarim, na udhëzo drejt dyerve të lutjes dhe na dhuro sekretet e thirrjes Tënde: “Lutmuni Mua, Unë ju përgjigjem!”…

All-llahumme, falemnderit, që derën e lutjes e le të hapur për këdo që të kërkon, pa ndërmjetësinë e askujt në botë! Elhamdulilah!

Amin!

Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, më 27 mars 2017