Meditime (48)

A jemi ne të aftë të ndjekim rrjedhat e fitimit të mëshirës..?

Nuk ka dyshim se, ndër ditët më të bekuara të jetës, është edhe dita e Arefatit!

Në atë bjeshkë të adhurimit e të lutjes, i zhveshur nga çdo rrobë e pozitë kalimtare, njeriu e ndjen veten të rrethuar nga bekimet dhe qetësia shpirtërore, deri në atë gradë sa përshkrimet profetike të asaj dite ndjehen dhe përjetohen në shkallën e papërshkrueshmërisë!

Jo më kot, Resulullahu (a.s) ia ka atribuar ditës së Arefatit krejt adhurimin e Haxhit, kur thotë me dy fjalë, se: “Haxhi është Arefati!”, dhe mjafton kaq për të kuptuar madhështinë e asaj dite, atij tubimi e mesazheve që përftohen në hapësirat e atyre orëve të bekuara, deri në perëndimin e diellit…

Çështja është se, sa jemi të aftë ta mbajmë besën e Arefatit dhe dritën e asaj dite edhe në përditshmërinë tonë, pas asaj dite..?

Imagjino, atë ditë haxhilerët mëshirohen e falen, sa dalin të pastër nga gjynahet si ditën që kanë ardhur në këtë botë! Po pas asaj dite, çfarë..?

Me fjalë të tjera, edhe kjo ditë e kjo panoramë e dritshme, nuk është gjë tjetër, veçse një sinjal hyjnor, nëpërmjet të cilit, Zoti i gjithësisë i drejtohet njeriut, si për t’i thënë: “…mëshira Ime ka përfshirë secilin send. Atë (Mëshirën) do ta caktoj për ata të cilët u ruhen (mëkateve), e japin zeqatin dhe për ata që i besojnë argumentet tona”, si në suren El-Arafë: 156, për ta zgjuar nga hutimi e për ta kthyer në origjinën e dëshmimit si më e mira e krijesave të Tij, e ftuar për të ndërtuar e zhvilluar jetën me dritën e Zotit të saj!

A jemi ne të aftë të ndjekim rrjedhat e fitimit të mëshirës së Tij, pa e përzier besimin me dyfytyrësi e pragmatizëm, për interesat e ngushta të nefsit, që s’e ngop gjë pos dheut!?

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 10 gusht 2021

(Fotoja e ditës së Arefatit, më 10 gusht 2019, kortezi nga i nderuari Haxhi Hilmi Fatmira Zeneli, me të cilin na bashkoi ky moment fatlum, edhe në shoqërinë e haxhilerëve të nderuar Hadi Hoxha e Xheladin Luzaku)