
Vëllezër dhe motra,
All-llahu i Madhëruar, teksa përshkruan detyrat profetike, misionare, qytetëruese, si dhe sistemin e shembullit pozitiv dhe modelit të shëndoshë, thotë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën jetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun!” – (Kur’ani, El-Ah’zabë: 21)
Poashtu, i Madhëruari All-llah, ka përshkruar të dërguarin e Tij dhe ata që e rrethonin prej besimtarëve, në suren El-Fet’h: “Muhammedi është i dërguar i All-llahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete, ti i sheh teksa përulen (në ruku), duke rënë me fytyrë në tokë (në sexhde), teksa kërkojnë prej All-llahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes. Përshkrimi i cilësive të tyre është në Teurat dhe po ky përshkrim është edhe në Inxhil. Ata janë si një farë e mbjellë ku mbin filizi i vet, e ai trashet, përforcohet dhe qëndron në trungun e vet, ajo e mahnit bujkun. (All-llahu i shumoi) Për t’ua shtuar me ta mllefin jobesimtarëve. All-llahu atyre që besuan dhe bënë vepra të mira u premtoi falje të mëkateve dhe shpërblim të madh.” – (Kur’ani, El-Fet’h: 29)
Po, o vëllezër dhe ju të dashur,
Ky bosht humanitar e islam, i lartësuar dhe i përkryer, u bë hartë shembullore për shoqërinë e shëndoshë ndër shekuj e kohëra!
Ky nuk është një skelet i vizatuar me duar artistësh e gjenishë, për t’u ekspozuar në sallone të mëdha e bashkëkohore, as vargje poezishë në gjuhën e poetëve, teksa i këmbejnë me njëri-tjetrin, në panairet e fjalës artistike…
Ai është një bosht humanitar madhështor, slogani i të cilit është Islami, garancitë e të cilit janë besimi, sinqeriteti, përkushtimi, mirëbërja! Tullat e ndërtesës së tij janë të ndërthurrura ndërmjet dijes, veprës së mirë, edukatës së shëndoshë, që buron nga vetëpërmbajtja dhe lartësimi i moralit, frika e Zotit dhe modestia ndaj krijesave të Tij!
Forma madhështore e kësaj ndërtese mbetet e tillë, për aq sa ruhet me korrektësi sistemi i sigurisë nga dëmtimi i frymës njerëzore, sjellja e keqe, prishja e opinionit të masës dhe arroganca në mesin e njerëzve!
Prej argumenteve më të spikatura të All-llahut, në edukimin e frymës njerëzore dhe vendosjen e saj në shtigjet e së vërtetës dhe mirësisë, si dhe pastrimit të saj nga konfliktet dhe partishmëritë, janë edhe ajetet e mëposhtme të sures El-Huxhuratë, ato 11-12: “O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër, e as gratë me gratë e tjera, sepse mund të ndodhë që gratë e tjera të jenë më të mira se ato që përqeshin (duke nënçmuar njëra-tjetrën) dhe mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape. Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq. E ata që nuk pendohen, janë mizorë!
O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit dhe mos përgjoni njëri-tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i All-llahut! All-llahu është Mëshrues, Ai pranon shumë pendimin!”
Prej dëshmive më madhështore të natyrës së diversitetit, që All-llahu ka vendosur në natyrë, është edhe diversiteti në njerëz, në popuj, në gjuhë, në ngjyra, në interesa, në vise, në jetëgjatësi, në raca, në cilësi e veçori, në shumësi e pakësi, në dije e injorancë; vërtetësi, që i dëshmojmë në lëvizjen e jetës.
Po të përvetësohen rregullat e natyrës hyjnore, si aleat jetik, ato e shndërrojnë rrjedhën e diversitetit në marsh suksesi, që i shpëton popujt, grupet etnike dhe racat njerëzore nga prishja, tirania, luftërat dhe fatkeqësitë!
All-llahu i Madhëruar urdhëron: “O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek All-llahu, më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat)! All-llahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” – (Kur’ani, El-Huxhuratë: 13)
Dr. Mervan Shejkhulerd, Damask.
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 25 korrik 2016