101 këshilla dhe udhëzime nga urtësia e Shejkh Abdulkadir Xhejlaniut… (1)

Në gusht të vitit 2009, pata nisur përkthimin e disa prej urtësive dhe këshillave të dijetarit të shquar Shejkh Abdulkadir El-Xhejlani (470-561 h.), nga libri i tij i njohur: “El-Fet’hur-Rabbani vel-fejdurr-Rrahmani“.

Një pjesë të tyre, i pata publikuar në websitin tim personal, vite më parë. Ndërsa sot, mendoj t’i sjell para jush, të ndara në katër pjesë, me dëshirën e mirë të përhapjes së urtësisë së dijetarëve dhe burrave të urtë të këtij ymmeti ndër shekuj.

1. “Kundërshtimi i Hakut , kur zbret kaderi i Tij, është vdekje e fesë, vdekje e teuhidit!”

2. “Zemra besimtare nuk njeh “si?” e “përse?”, por përherë përgjigjet: Si urdhëron!”

3. “Guximi është durimi i një ore!”

4. “Zemra është zog në kafazin e trupit, si margaritari në guackën e tij, si pasuria në një arkë të mbyllur. Kujdesu për zogun, jo për kafazin, për margaritarin, jo për guackën, për pasurinë, jo për arkën e mbyllur!”

5. “O njerëz, bëhuni për All-llahun si salihinët për Të, të bëhet për ju siç u bë për ta!”

6. “Biri im, këshillo veten, pastaj këshillo të tjerët!”

7. “Vetëm ai që e njeh All-llahun mund t’i tërheqë njerëzit drejt Tij! Si mund ta bëjë këtë ai që e injoron Atë!?”

8. “Nëse teuhidi qëndron në derë të shtëpisë dhe shirku brenda saj, kjo është vetë hipokrizia!”

9. “Biri im, bëj gjumë të qetë nën peshoren e kaderit, jastëk të kesh durimin, i shoqëruar nga miratimi, adhurues me pritjen e ngadhënjimit!”

10. “Ku e keni mirënjohjen, o ju që përpëliteni në mirësitë e Tij?”

11. “Biri im, mos të jetë halli yt më i madh në këtë botë ushqimi e pija, veshmbathja e martesa, banesa e pasuria! Këto janë hallet e nefsit ! Ku është halli i zemrës, kërkimi i Hakut?!”

12. “O gënjeshtar, ti e do All-llahun në gjendje mirëqenie, por kur të godet e keqja, vrapon, si të mos ishte All-llahu i dashuri yt! Robi njihet në sprova!”

13. “Po t’ju zbuloja disa nga ato që di, do të bëhej shkak i ndarjes tonë!”

14. “Ndihmojini të varfërit nga pasuria e juaj! Falënderojeni All-llahun që ju bëri të mundur për të dhënë! Të mjerët ju, nëse lypsari është dhurata e Zotit për ju, njëkohë që keni mundësi të ndihmoni, përse ia ktheni Dhuruesit dhuratën e Tij?! Para meje dëgjoni dhe qani e, kur vjen koha për t’i dhënë të varfërit, ju forcohet zemra! Kjo do të thotë se dëgjimi dhe lotët tuaj nuk paskan qenë të sinqertë për Zotin!”

15. “O i shthurrur, kujdes nga besimtari, sepse ai të sheh me dritën e All-llahut! Sheh shirkun dhe nifakun tënd, sheh monedhën tënde të fshehur nën këmishë!”

16. “Kush nuk e gjen një shpëtimtar, nuk shpëton!”

17. “Një i verbër pyeti: Deri kur në këtë gjëndje? Dikush i tha: Derisa të gjesh mjekun shërues, ta bësh pragun e tij jastëk për kokën tënde, të mendosh mirë për të, të zhdukësh çdo shenjë dyshim për të në zemrën tënde dhe të durosh shërimin e tij të hidhur!”

18. “Mbroni mirësitë e Tij me falënderim, pranoni urdhëresat dhe ndalesat e Tij me dëgjim dhe bindje! Ruani kufijtë e Tij; kur t’ju vijë lehtësimi falënderojeni e, kur t’ju vijë vështirësia, pendohuni para duarve të Tij dhe kontrolloni veten tuaj, pasi Ai nuk i bën kujt padrejtësi!”

19. “Janë shtuar ata që falen, agjërojnë, bëjnë haxh, japin zekat dhe bëjnë vepra të mira, për hallkun , jo për Hakun!”

20. “A nuk e ke mësuar se nëse falesh, agjëron dhe vepron tërë këto vepra të mira, larg nga kërkimi i pëlqimit të All-llahut, ti je munafik, larg Tij!?”

21. “Dorëzohu, pastaj pendohu, pastaj mëso, pastaj puno dhe ji i sinqertë, përndryshe nuk do të udhëzohesh!”

22. “Boshatise zemrën tënde nga hallet e kësaj bote, së shpejti do të merresh prej saj!”

23. “Ngrihuni dhe përfitoni nga dera e jetës sa është e hapur! Së shpejti do t’ju mbyllet! Përfitoni nga veprat e mira sa jeni të aftë t’i bëni! Përfitoni nga dera e pendesës dhe hyni në të sa është e hapur! Përfitoni nga dera e lutjes, sepse ju është hapur! Përfitoni nga dera e përshpejtimit të vëllezërve tuaj salihinë, sepse ju është hapur!”

24. “Ndërtoni atë që keni shkatërruar, pastroni atë që keni ndotur, rregulloni atë që keni prishur, dlirësoni atë që keni njollosur, kthehuni te Krijuesi juaj!”

25. “Biri im, mos përto, sepse përtaci është përherë i privuar dhe pendimi varet në qafën e tij!”

Shqipëroi nga arabishtja me përshtatje,
nga: “El-Fet’hur-Rabbani vel-fejdurr-Rrahmani”,
i Shejkh Abdulkadir Xhejlaniut (470-561 h.)

Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 25 gusht 2016