1. “Biri im, hidhe rrjetën e lutjes dhe kthehu te miratimi, mos u lut me gojë, kur zemrën nuk e ke prezent!”
2. “Të përmendësh mbjelljen dhe farën në kohën e korrjeve, nuk ka më vlerë!”
3. “Bëhu fetar dhe shoqërohu me fetarët, ata janë njerëzit! Më të mençurit e njerëzve janë ata që i binden All-llahut, më injorantët, ata që e kundërshtojnë Atë!”
4. “Nëse përzihesh me fetarët dhe fillon t’i duash ata, do të jesh i fituar dhe zemra jote do të largohet nga hipokrizia dhe njerëzit e saj!”
5. “Me pakësimin e imanit fillon të shkosh pas rizkut, me shtimin e tij e lë pas kërkimin, me plotësimin e tij flen nga kërkimi i tij!”
6. “Sa injorant ai që harron shkaktarin dhe angazhohet me shkakun! Të qëndruarit me të dytin dhe të harruarit e të parit, do të thotë harrim i të përhershmes dhe lumturim me të vdekshmen!”
7. “Biri im, shoqërimi me injorantët shkakton ngjitjen e injorancës te ti, shoqërimi i ahmakut është shoqëri e humbur! Shoqërohu me besimtarët që veprojnë sipas dijes që kanë!”
8. “Frika e All-llahut është vetë dituria!”
9. “I mjeri ti që injoron kaderin! A mendon se njerëzit e kësaj bote mund të ta japin atë që nuk të është paracaktuar?!”
10. “Biri im, po munde të largohesh sa më shumë nga hallet e kësaj bote bëje e, nëse nuk mundesh vrapo me zemrën tënde drejt Hakut!”
11. “O njerëz, pasoni që të pasoheni, shërbeni që të shërbeheni! Ndiqni më të mirën dhe kaderet, shërbejini atyre që t’ju pasojnë e t’ju shërbejnë…!”
12. “Çdo zemër e mbushur me dashurinë e kësaj bote, në mes saj dhe All-llahut ka perde”
13. “Mos e ngarko veten me diçka që nuk të ka ngarkuar All-llahu, nëse nuk të ngarkon me të Vetë All-llahu; përndryshe do të jesh i paaftë për të!”
14. “Biri im, nëse dëshiron të mos mbyllet asnjë derë para duarve tuaja, frikësoju All-llahut, sepse takvaja është çelësi i çdo dere!”
15. “Shpëtimi i fesë është kapital, punët e mira janë fitimi!”
16. “I mençuri nuk gëzohet për diçka, hallalli i të cilit është llogari, harami i tij ndëshkim! Shumë ndër ju e keni harruar llogarinë dhe ndëshkimin!”
17. “O ti që ke shitur çdo gjë për asgjë dhe ke blerë asgjë për çdo gjë, bleve këtë botë për ahiretin dhe shite ahiretin për këtë botë; ti, një hiç në hiç, injorancë në injorancë!”
18. “Zemra ndryshket -siç thotë profeti (a.s)-! Por nëse i zoti nuk i bie nga pas, sipas porosive të profetit (a.s), ajo nxihet! Nxihet nga largësia e saj me dritën!”
19. “Ai që punon për sy e faqe të njerëzisë, e ka rrobën të pastër, zemrën të ndotur! E jashtmja e tij është e ndërtuar, e brendshmja e tij harab !”
20. “Nuk ka dobi gjuha e një të dituri, xhahil në zemër!”
21. “Shoqërojini dijetarët e përkushtuar, sepse shoqërimi i tyre është begati mbi ju, por mos shoqëroni dijetarët që nuk punojnë me dijen e tyre, sepse shoqërimi i tyre është mallkim mbi ju!”
22. “I tha Llukmani të birit: Biri im, kjo botë është si një det; besimi është anija, veprat e mira, kapiteni i saj dhe bregu, ahireti!”
23. “Haku i Madhëruar ta dha jetën që t’i bindesh në të, mendove se është e jotja, veprove atë që deshe! Poashtu shëndetin! Poashtu pasurinë! Poashtu sigurinë dhe mirëqenien! Për të gjitha miraditë që ke, do të përgjigjesh dhe do të llogaritesh! T’i dha që të mbështetesh në to për adhurimin e Tij!”
24. “Mos u intereso për rizkun tënd, ai të kërkon më shumë sesa e kërkon ti!”
25. “Dorëzoja qënien tënde Hakut, të dorëzon veten tënde dhe të tjerë pos saj!”
Shqipëroi nga arabishtja me përshtatje,
nga: “El-Fet’hur-Rabbani vel-fejdurr-Rrahmani”,
i Shejkh Abdulkadir Xhejlaniut (470-561 h.)
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 26 gusht 2016