Një e vërtetë shekullore e mbushur me prekje dhembjeje, keqardhjeje dhe zhgënjimi, që na e rikujtoi sonte, një burrë i urtë, që tërë jetën e tij është mëkuar e ushqyer me urti e largpamësi nga Shkolla e Madhe e të atit, Përtëritësit të shekullit të tij…
Dr. Salahuddin Ahmed Keftaro, shkruan: “Ka thënë Ibn Rushdi: “Tregëtia me fetë, është tregëtia fitimprurëse në ato shoqëri, ku është përhapur injoranca! Dhe, nëse dëshiron të zotërosh një injorant, ke për detyrë ta veshësh çdo kotësi me një mbështjellëse fetare.”
Nga kjo pikënisje, është bërë obligative nisja e një revolucioni në mendimin fetar, për të mposhtur pluhurin e së shkuarës, hipokrizinë e të sotmes dhe përpjekjet e devijimit të së ardhmes, si dhe për të eliminuar ekstremizmin dhe risitë, duke qëndruar konform bazave, themeleve dhe pikëreferimeve të së shkuarve, të cilat ruajnë ekuilibrat ndërmjet teksteve fetare (të transmetuara) dhe logjikës.”
Tregëtia me fetë, në ambiente e shoqëri të tejmbushura me injorancë e demagogji, nuk sjell bekim, as mirësi e prekje të hyjnores, përkundrazi!
Tregëtia me fetë, fuqizon perandoritë e mashtrimit dhe thellon abuzimin me mendjen, logjikën dhe vetëdijen e masave!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 22 dhjetor 2016