Sonte, në ambientet e Bashkësisë Islame “El-Hidaje”, përjetuam emocione të mëdha, teksa ndoqëm bashkarisht dokumentarin: “Triumfi i zanit të minareve”, kushtuar 25 vjetorit të rihapjes së Xhamisë së Plumbit në Shkodër, më 16 nëntor 1990.
Në fakt, fal shumë emocion ai domumentar dhe mesazhet që dhuron nëpërmjet meditimit…
Është vërtetë e habitshme, thuajse e pabesueshme ajo që ka ndodhur në Shqipërinë komuniste; ndalimi i fesë dhe persekutimi i hoxhallarëve dhe krejt prijësve fetarë, varfërimi i njerëzve, vrasja e krenarisë kombëtare, por jo vetëm kaq..!?
Hera-herës, histeria e turmave revolucionare ateo-komuniste, më ngjan me gulçimet e vazhdueshme të trashëgimtarëve të asaj fryme kudërbuese afetarizëm ekstrem, injorancë e shthurrje intelektuale, që dëshmohet gjithandej në mesin e turmave të hutuara… Sepse, ligësia nuk ka kombësi, as kartë identiteti! Ligësia njeh vetëm kufijtë e kapriços personale dhe interesit egoistik!
Nga ana tjetër, Islami ka ardhur ta çlirojë njeriun nga ligësia e shpirtit dhe pasojat e saj, ta ekuilibrojë njeriun në jetë, duke i falur qetësinë, pastërtinë shumëdimensionale, tolerancën logjike, shpirtin e bujarisë, edhe ndaj atij që jodetyrimisht do ta pasojë në thirrjen e sinqertë…
Në fakt, Islami është zgjidhja! Kundër injorancës, kundër ekstremizmit në të menduar e në të vepruar, kundër shkeljes korruptive të të drejtave të tjetrit dhe lirive legjitime të tij, kundër kultit të individit dhe devijimit në vetëadhurim, kundër imoralitetit dhe pafytyrësisë! Sepse, Islami është burimi i të vërtetave të mëdha, që i duhen njeriut për jetën e tij të përkohëshme dhe për të përtejmen e pafund!
Sonte, emocionet e atij 25 vjetori iu bashkuan atij të 25 vjetorit të Bashkësisë Islame El-Hidaje”, këtu në St. Gallen të Zvicrës. U krijua një frymë që imponon me përulësi, mirënjohje dhe falënderime ndaj All-llahut të Madhëruar, që na bëri ne shqiptarëve thirrësit më të afirmuar e më të spikatur të Islamit në Evropë!
Kjo është një e vërtetë e madhe! Pas rënies së hilafetit islam në Andaluzi, pishtari i Thirrjes Islame mbeti në trojet islame, ku thirrja e Teuhidit u përhap paqësisht, si një bekim hyjnor mbi ne..!
S’e pengoi komunizmi, s’e pengon as laicizmi selektiv, as propaganda islamofobe e dalë mode, as komplekset e të ngarkuarve me misione ligësie në mesin e shoqërisë, as injoranca e keqinterpretuesve të saj me lexime të ngushta e shfaqje primitive, as modernizmat e të kompleksuarve nga komentet dhe traditat klasike, por jo vetëm..!
Sot, historia e kësaj Dëshmie shekullore vazhdon rrugëtimet e veta të sigurta, duke i bërë shqiptarët (nga krejt trojet e tyre etnike), përfaqësuesit më elitarë të shkrirjes së mrekullueshme me fenë islame, në rang Evrope!
Sepse, ky Islam i Paqes, dialogut, arsyes, logjikës e natyrales, është në fakt zgjidhje e sigurt e krejt defekteve që hasen në rrugëtimet e gabuara, të cilat njeriu ia ka toleruar vetes, duke vërtetuar botërisht, se pa fenë e Zotit dhe hartën e Tij për jetën tonë, njeriu është armik i madh i vetë jetës së tij dhe i mirëqenies së saj! Shpesh, më i madhi…
Imam Muhamed B. Sytari
St. Gallen, më 3 mars 2017