Emrat e fëmijëve të pallatit…

– “E kisha bâ nijet me mbledhë emrat e fëmijëve të krejt pallatit, për t’i bâ nga nji duá në Qabe… Ia mblodha emrat dhe të gjithë më falënderuan e më uruan..!”

Këtë iniciativë të padëgjuar a lexuar më parë, pata mundësinë ta dëgjoj nga goja e vetë autorit të saj; një nga bashkëudhëtarët e mi të nderuar në udhëtimin e Umres, që nisëm sot, me mbarësinë e All-llahut.

Është vërtetë mahnitëse atmosfera dhe përshpirtësia, në të cilën përfshihet besimtari teksa përgatitet të rrugëtojë drejt Shtëpisë së Lashtë të Teuhidit dhe vizitës së Resulull-llahut (a.s).

Përgatitja për këtë udhëtim të shtrenjtë nxjerr në pah edhe shpirtin real të muslimanit, që ka në genet e edukimit të tij burimor, dëshirën për të bërë mirë në komunitet; në forma e kontekste, shpesh edhe të paimagjinueshme…

Resulull-llahu (a.s) thoshte: “Kush beson në All-llahun dhe jetën e përtejme, le ta nderojë komshiun e tij!”

Dhe, besoj se kjo sjellje dashamire e mikut tim me fëmijët e komshive të tij, nuk mund ta trupëzonte më së miri në realitetet tona, thelbin e këtij hadithi të mrekullueshëm!

E falënderova me zemër bashkëudhëtarin tim, që akoma tani, teksa po rreshtoj këto fjalë, vazhdon të shënojë në bllokun e tij të duave…

All-llahumme, Umre të pranuar..!

Imam Muhamed B. Sytari
Rinas, më 5 mars 2017