“Unë jam zoti i deveve, ndërsa Qabja ka Zotin e vet..!”

Mendimtari i shquar islam, dijetari i urtë Es-Sejjid Ebul-Hasen En-Nedvi (1914-1999), në librin e tij “Es-Sirretun-Nebevijje”, (në gjuhën arabe), teksa nis të shkruajë jetën dhe historinë e Hz. Muhammedit (a.s), përshkruan edhe detaje interesante nga ndodhia e elefantit, e famshmja ndodhi e elefantit…

Po sjell për ju një pjesë të shënimeve me dobi nga botimi i 12-të i këtij libri, Damask, 2014.

NDODHIA E ELEFANTIT

Një ndodhi e madhe ngjau, kurrë më parë s’kishte ndodhur si ajo në historinë e arabëve. Ishte argument i shfaqjes së një ngjarjeje më të madhe dhe, se All-llahu kishte ruajtur një mirësi të madhe për arabët. Edhe se Qabja ka një vlerë, që nuk e ka asnjë prej shtëpive të kësaj bote dhe qendrave të adhurimit dhe, se një Mision dhe rol madhor në historinë e feve dhe të ardhmen e njerëzimit, ishte lidhur me të…

BESIMI I ARABËVE PËR POZITËN E QABES TEK ALL-LLAHU

Besimi se kjo Shtëpi ka një pozitë të madhe tek All-llahu dhe se Ai është Mbrojtësi i saj, shfaqet dukshëm tek bashkëbisedimi që u zhvillua në mes Abdulmuttalibit (gjyshi i Resulull-llahut), zotërisë së Kurejshëve dhe Ebrehesë (mbretit të Etiopisë), që i kishte zënë dyqind deve, ndërkohë që ishte nisur të godiste e të shkatërronte të Madhnueshmen Qabe…

Abdulmuttalibi: Kam ardhur të marr dyqind devetë e mia!

Mbreti Ebrehe: Ke ardhur për dyqind deve, që të kam dëmtuar dhe nuk po ndërhyn për një Shtëpi, që është feja jote dhene baballarëve të tu, ndërkohë që jam nisur ta shkatërroj?

Abdulmuttalibi: Unë jam zoti i deveve, ndërsa Shtëpia (Qabja) ka Zotin e vet që e mbron dhe të ndalon!

Mbreti Ebrehe: Nuk e ndalon gjë sot, prej meje!

Abdulmuttalibi: Ti dhe puna jote!

Dhe të gjithë e keni parasysh vazhdimin e historisë, që e shënon edhe Kur’ani Famëlartë, në suren e “Elefantit”: “A nuk e ke parë se ç’bëri Zoti yt me poseduesit e elefantit? – A nuk ua bëri përpjekjen e tyre të dështuar? – Ai kundër tyre lëshoi shpendë që vinin tufë-tufë! – Dhe i gjuanin ata me gurë nga balta e gurëzuar! – Dhe ata i bëri si gjethe e grimcuar (e përtypur)!”

M’u kujtua kjo ngjarje, teksa po lexoja në qetësinë e Abdulmuttalibit, lajmin ebrehesk të padisë, që dikush i kishte bërë Kur’anit Famëlartë në prokurorinë e Tiranës. (Nuk e fsheh dot, se më erdh ndër mend edhe një fjalë e Dr. Said Ramadan El-Butit, që e tha një ditë në një hytbe xhumaje: “Marrëzia është degë-degë”)

Po me aq qetësi rilexova disa herë ajetin kur’anor: “Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithësesi jemi mbrojtësit e tij” – (Kur’ani, El-Hixhr: 9), teksa po nënshkruaja marrëveshjen për shpërndarjen e mijëra kopjove të Kur’anit Famëlartë me përkthim në gjuhën shqipe, në Shkodër, në këtë prag-Ramazan…

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 27 maj 2016