Kur’ani Famëlartë, ky sekret i madh i Dashnisë së Zotit për njeriun..!”Shtojeni dhikrin e All-llahut! Caktoni një pjesë nga koha e juaj për leximin e Kur’anit! Por, lexim me kuptim e meditim, fjali-fjali, fjalë-fjalë…
Bëjini shtëpitë tuaja kible për komshitë tuaj, familjarët, miqtë e të afërmit, duke i ftuar drejt All-llahut të Madhëruar. Sahabët, edhe pse ishin analfabetë, në të vërtetë ishin prijës dhe thirrës drejt të mirës, sepse qëndruan pranë Resulull-llahut (a.s) me zemrat e tyre, saqë fjalët e tij qarkulluan në venat e tyre, si gjaku i pastër…
I lutem All-llahut të Madhëruar, ta bëjë secilin prej jush muslimanin e dëshiruar nga All-llahu (xh.sh), modelin drejt të cilit ftoi i Dërguari i Tij (a.s)…”
Këto fjalë i atribuohen Hoxhës tonë, Shejkh Ahmed Keftaro, i cili ia kushtoi krejt jetën e tij Thirrjes Islame, me shembullin personal, me sakrificën, mundin dhe frytet e angazhimit të tij të pashembullt.
Ajo që më tërheq vëmendjen më shumë në këto rreshta të pakët dhe dua ta ndaj me ju sot, është thirrja për t’u kthyer nga Kur’ani Famëlartë; leximi me vëmendje, kuptimi dhe meditimi i tij, për t’u përkthyer në vepra.
Kujtoj, në fund të vitit 1991, në Shkodër kishte mbërritur një misionar bahai, me prejardhje nga Pakistani, banues në Londër dhe që komunikonte në italisht. Ia kujtoj mirë emrin. Një burrë rreth të gjashtëdhjetave. Asokohe, moti bënte ftohtë, shumë ftohtë. U takova me të rastësisht, (pasi asgjë nuk më lidhte as më lidh me këtë sekt të devijuar nga Islami), kur më dhuroi një sasi me libra, që shpjegonin Bahaizmin në gjuhën shqipe. (I ruaj edhe sot ata libra, në pjesën e sekteve dhe grupeve të devijuara nga Islami, në bibliotekën time).
Do shkonte drejt zonave të thella malore për të përhapur fenë e tij dhe literaturën që mbante me vete…
Të dashurit e mi, a i japim ne muslimanët shqiptarë sot, vlerën e duhur Kur’anit tonë, me përkushtim e bindje, në lexim, në kuptim, në veprim?
A e përhapim ne muslimanët shqiptarë sot, Kur’anin dhe mësimet e tij në familjet tona, në farefisin tonë, në lagjet tona, duke ndjerë kënaqësinë e shërbimit të paqtë ndaj Fjalës së Zotit?
A ndjehemi krenar ne muslimanët shqiptarë sot, me Kur’anin Famëlartë, Librin e vetëm hyjnor të paprekur nga dora abuzuese e njeriut, përmbledhësin më të saktë edhe të mësimeve hyjnore të Librave të Shenjtë të mëparshëm, të devijuar më pas nga dora e pasueve të tyre?
Kur’ani Famëlartë, ky sekret i madh i Dashnisë së Zotit për njeriun..!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 28 maj 2016