Islami, teksa na nxit drejt shembullit të Hz. Ibrahimit (a.s.), e bën këtë sepse dëshiron prej nesh që i riu jonë, prindi i jonë, burri në mesin tonë, gruaja në mesin tonë, vajza, djali, gjithësecili prej nesh të jetë njeri elitar, të jetë njeri me vlera, të jetë njeri që kur të tjerët t’a shohin të përmendet Zoti i gjithësisë!
Të jetë njeri që kur të tjerët ta shohin, të gëzohen e të ndjejnë qetësi, të ndjejnë kënaqësi, të ndjejnë siguri nga prania e tij në mesin e tyre!
Ky është modeli i besimtarit që kërkon All-llahu (xh.sh.) dhe ky është modeli i shembullit të atyre që ndjekin dhe pasojnë gjurmët e Pejgamberit (a.s.)!
Kjo është simbolika e Kurban Bajramit, të cilin jua uroj me zemër në një realitet të çuditshëm dhe ndryshe prej viteve të tjera, por që ju jeni të bindur dhe e dini shumë mirë se nuk ka forcë në botë që e nxjerr besimin nga zemrat e njerëzve!
Ky besim është dhuntia më e madhe e Zotit në jetë, ky besim është dhuntia më e madhe e Krijuesit të gjithësisë! Po të ishte për ne, kushedi si do të kishim qenë!?
(Nga dersi i Kurban Bajramit, më 31 korrik 2020, në xhaminë e Fushë Çelës)