
Hidhe tutje hirkën e hutimit..!
Hapi sytë, vështro përreth, shih katrahurën e shkaktuar nga afetarizmi dhe zhveshja nga morali, shih si të tërheqin pa e ndjerë, si e si të ngelesh skllav i çështjeve pa vlerë, edhe brenda fetarizmit tënd, që të mos zgjohesh, të mbetesh përherë i dehur dhe në kllapi, i përhumbur, i përgjumur, larg karvanit të elitave..!?
Hapi sytë, zgjohu dhe hidhe tutje hirkën e hutimit, pastaj thuaj me bindje: “Elhamdulilah, unë jam musliman!” dhe, puno fort që kjo Dritë të përhapet gjithandej, sa të jesh gjallë!
Kujto përherë, se kurrësesi nuk të dëmton kundërshtari, as të pengon lajkatari, kur nijeti yt është bindja ndaj Zotit dhe mëshira ndaj krijesave të Tij, ndërsa vepra jote pasqyra më e mirë e nijeteve tua!
I pari, e ka nga padituria; po munde udhëzoje drejt realitetit të fesë dhe madhështisë së besimit. Po nuk munde, vazhdo rrugëtimin tënd dhe mos e kthe kokën pas!
I dyti, e ka nga hipokrizia; sa më larg tij, me lutjen që Zoti ta udhëzojë e ta pastrojë!
(Të dytët do t’i gjesh edhe në xhaminë ku t’i falesh, por ty s’të lejohet të paragjykosh asnjeri, edhe në sofrat e bamirësisë e ato të dijes, ku t’i ulesh me përulësi, edhe në supermarket ku ti shkon të blesh, edhe në fb, kur ulesh të shfletosh, edhe para ekranit, kur mendon të kalosh pak kohë, edhe në fushata plot premtime e propaganda veshur me emblema kombëtare e ndjenja atdhetarizmi, gjithandej; hiç mos u tundo prej tyre, mos e humb fillin e qëllimeve tua fisnike në jetë për të dukshmen e gjendjes së tyre!)
Merr frymë thellë dhe thuaj: “Allah!”, pastaj hap sytë dhe ec pa ndrojtje; rruga është e gjatë, pengesat janë të shumta, ti je i pathyeshëm në rrugëtimin tënd, sepse Allahu është me ty, ti je me Allahun!
Dhe, asnjëherë mos harro atë fjali të madhe, me të cilën i Dashtuni i Zotit qetësoi zemrën e mikut të tij besnik, në një ditë vendimtare për jetën dhe Thirrjen e tyre: “Mos u dëshpëro, Allahu është me ne!”…
Dhe, mbi të gjitha, sa më larg debateve shterpë, fjalëve të shumta dhe bisedave pa dobi; sa më larg! Heshtja përballë të padobishmes është rehati!
Diversiteti është shenjë që të forcon dhe të jep kurajo në rrugëtimet e tua; duke respektuar e toleruar, aty ku respekti dhe toleranca ndërtojnë vlera dhe humanizëm!
Në fund të fundit: Udhëzimi është në dorën e Udhëzuesit, morali dhe sjellja jote, dija dhe dashamirësia, vullneti për të ndërtuar, bujaria dhe shpirtmadhësia, këto të jenë tiparet e tua pasqyruese të pretendimit se je musliman!
Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 1 gusht 2021