“Thuaj: Udhëtoni nëpër tokë..!”
Udhëtimet i ngjajnë mirazheve, ku në çdo stacion mund të befasohesh me të reja të panjohura, që patjetër të shërbejnë për të parë e lexuar ndryshe të djeshmen; për të prekur e drejtuar të sotmen dhe, patjetër për të vështruar më me thjeshtësi, por shumë më thellësisht atë që vjen!
Është interesant se si Kurani Famëlartë, që para 15 shekujsh, e fton beduinin e sahrasë, e pas tij krejt njerëzimin për të shfrytëzuar udhëtimin në funksion të mendimit e meditimit rreth formave të krijimit dhe ringjalljes, fitimit të eksperiencave dhe zhvillimit të aftësive mendore në shërbim të jetës.
Në suren e merimangës (një tërheqje e vëmendjes më vete), “El-Ankebut”, në ajetin 20 thotë: “Thuaj: Udhëtoni nëpër tokë e shikoni se si filloi krijimi..!”.
Në komentimin e këtij ajeti, Imam Kurtubiu shpjegon: “Thuaju atyre, o Muhamed, udhëtoni nëpër tokë dhe vështroni se si e filloi krijimin; shumësinë e formave, dallimin në gjuhë, në ngjyra e në natyra…”.
Ky lexim më sjell ndër mend momente të paharruara nga udhëtime të shumta nëpër botë, ku nuk është e vështirë të vëresh dallime të panumërta në gjuhë, në kulturë, në botëkuptime, në fe, në strategjinë e zhvillimit, në mënyrën e shfrytëzimit të pasurive natyrore, në komunikimin ndërnjerëzor, në marrëdhëniet brenda familjes, në edukimin e fëmijëve, në vendin që zë arti, sporti, politika, por jo vetëm tek popujt e ndryshëm e kulturat popullore.
Këtu, shndrit madhërishëm thirrja e shenjtë e shekujve: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.”, në ajetin 13 e sures “El-Huxhurat”.
Prandaj, udhëtoni dhe dëshmoni më të mirën nga vetja e juaj! Kjo botë është vend i sprovave, mundësive dhe dëshmive..!
Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, më 2 gusht 2021