
Ditën e sotme kam dëshirë të ndaj me ju disa nga shënimet e Hafiz Qamil Tresit (1922-1988), që lidhen me ditët e Dhul-Hixhes dhe një transmetim interesant mbi llojet e gibetit.
Shënimet në fjalë, janë pjesë e një hytbeje, shkruar me dorën e tij, të cilën kam pasur rast ta regjistroj dhe ta arkivoj, kur po punoja për përgatitjen e monografisë mbi jetën dhe gjurmët e tij, vite më parë.
Këto shënime i publikoj për herë të parë, me dëshirën e mirë të dobisë dhe në prag të fillimit të dhjetë ditëve të begata të muajit të Haxhit.
[Falënderimi i takon All-llahut, i Cili i dha mirësi e begati dhjetë ditëve të Dhul-Hixhes, mbi ditët e tjera. Dhe, i ndriçoi sytë e haxhilerëve në to, me takimin e Qabes, Shtëpisë së Shenjtë. I premtoi të penduarve dhe adhuruesve pamjen e bukurisë së Tij në vendin e Paqes (në xhennet).
I pa të meta është Ai, që i nderoi këto ditë me ritualet e Haxhit, telbijes dhe ihramit.
…
Dijeni se, All-llahu ju ka nderuar me këto ditë, prandaj mos i humbisni ato me pasimin e epsheve dhe veprimin e harameve. Angazhohuni me adhurime, sadeka dhe agjërim, që të arrini takimin e All-llahut, Mbretit të Plotfuqishëm, të Plotdijshëm.
…
Ka thënë Ebu Lejthi: “Gibeti është katër llojesh: Një lloj që është kufër (dalje nga feja), kur dikush përgojon një musliman dhe, kur i thuhet sesa i dëmshëm është përgojimi, ai e neglizhon dhe e bën të lejueshme atë që është haram, duke bërë kufër!
Një lloj tjetër është nifak (hipokrizi), kur dikush përgojon një musliman, duke mos ia përmendur emrin përpara dikujt që e njeh, duke menduar se kështu po ruhet, duke shfaqur hipokrizi!
Një lloj tjetër është isjan (rebelim ndaj ndalesës hyjnore, gjynah), kur dikush përgojon dikë para dikujt, duke e ditur se ai e njeh atë, si dhe duke e ditur se është gjynah, duke shfaqur mosbindje! Ky duhet të bëjë teube (të pendohet), nëse lajmi i përgojimit nuk mbërrin tek i zoti…”]
(Pjesa e kësaj hytbeje është e mangët, prandaj pika e katërt e llojeve të gibetit nuk ka dalë në përkthimin e bërë)
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 31 gusht 2016