Kushtet e Islamit në vargjet e Hafiz Jusuf Këlmendit…

Sot, dua të ndaj me ju kënaqësinë e leximit të ca vargjeve, të shkruara nga Hoxha i ditur shkodran, Hafiz Jusuf Këlmendi (1876-1943), të shkëputura nga një botim i tij i plotë, shqip me alfabet arab.

H. Jusuf Këlmendi është pjesë e zinxhirit dituror të dijetarit të urtë shkodran, H. Halid Bushati (?-1916), ixhazeti i të cilit përfundon tek Hz. Muhammedi (a.s), i dërguari i All-llahut!

Nëpërmjet këtyre vargjeve, autori përpiqet t’u mësojë lexuesve kushtet themelore të fesë islame, çështje të ndryshme fetare, parime, bindje e tematika të mirëfillta besimi.

Në fillimet e vargjeve të ilahisë së tij të parë, ai merret me trajtimin e gjashtë kushteve të besimit islam, shartet e imanit, ku shprehet:

Elif- I pari n’sharte turqnís
Zotit imân mej prû

Nji, ka ardh pej Perendís
me Kur’an na asht kallxu

Be- Bytyn xhin e insân
me kyt emër jan urdhnu

Me bâ tasdík me kemâl
hem me njôh me bisedu

Te- T’gjith na farz i kemi
melekve mej prú imân

Mashkullek s’kân as femní
s’hanë as pinë e s’bajnë isjân

The- … qitabet jân
Pejgamberve ju ka çû

Dinin me na bâ bejân
Zoti njikshtu ka urdhnu

Xhim- Xhumle Pejgamberanë
me’mûr jem mej bâ tasdík

Pej Zotit qi çue jân
trim e grû duhet me dít

Ha- Hakími urdhënon
ahiretit xeni besë

M’kyt dynja kush nuk rrnon
Pejgamberve s’ju ka mét

Kha- Hajri sherri pej Zotit jân
njishtu … gjith ta dím

Me kyt gjashtë u banë tamam
ndihmë na paçim Perendínë

Këtu, lexuesi kupton fare lehtë se gjashtë kushtet e besimit islam janë: besimi në Zotin Një (I pari n’sharte turqnís – Zotit imân mej prû / Nji, ka ardh pej Perendís – me Kur’an na asht kallxu), besimi në melekët e Tij, ku sqarohet edhe natyra e tyre (Mashkullek s’kân as femní – s’hanë as pinë e s’bajnë isjân), besimi në librat e zbritur (… qitabet jân – Pejgamberve ju ka çû / Dinin me na bâ bejân – Zoti … urdhnu), besimi në Profetët e Tij, të dërguar me misionin e përhapjes së mësimeve të pastra fetare (Xhumle Pejgamberanë – me’mûr jem mej bâ tasdík / Pej Zotit qi çue jân – trim e grû duhet me dít), besimi në ditën e gjykimit e në jetën e përtejme (Hakími urdhënon – ahiretit xeni besë / M’kyt dynja kush nuk rrnon – Pejgamberve s’ju ka mét), besimi se e mira dhe e keqja janë prej Zotit (Hajri sherri pej Zotit jân – kështu … gjith na dím / Me kyt gjashtë u banë tamam – ndihmë na paçim Perendínë)

All-llahu e mëshiroftë Hafiz Jusuf Këlmendin dhe e shpërbleftë mundin dhe kontributin e tij të vyer, në rrugën e edukimit të shoqërisë, me njohuritë themelore të fesë së tyre.

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 1 shtator 2016