Meditime (34)

Dorëzohu me sy mbyllur në krahët e kaderit..!

Dorëzohu me sy mbyllur në krahët e kaderit..!

Në jetën kalimtare, nga ajo ditë që kemi ardhur pa e ditur e, në të cilën, kohë pas ardhjes e kemi kuptuar që jemi e, prej së cilës largohemi pa e ditur se kur, ku e si, njeriut i duhet patjetër besimi në Zotin Një, si shoqërues në të mirë e në të keq, në vështirësi e në gëzim, në pamundësi e në mirëqenie!

Sido që të jetë, asgjë nuk zgjat në këtë jetë, as lumturia, as gëzimi, as shëndeti, as rinia, as pozita, as pushteti, as dhembja, as padurimi, as..!

Prandaj, dorëzohu me sy mbyllur në krahët e kaderit dhe, jeto me qetësi, me kurajo e këmbëngulje, ec përpara e mos u dorëzo, se një ditë, patjetër, do të largohesh!

Nuk ka rëndësi a do të njohin, a do të injorojnë; a do të flasin mirë për ty, a me helm do të mbulojnë; a do të mbajnë fjalime më varrimin tënd, a do të derdhin derdhin lot; a do të mburren me ty, a do të ulin kokën me përmendjen e emrit tënd; ajo që vlen është ajo që ti ndërton me Zotin tënd, ajo që punon për hatrin e Tij, mbështetur mbi themelet e palëkundura të asaj drejt së cilës të ka ftuar në jetë dhe përkushtimit tënd vetëmohues!

Veç 25 pejgamberëve i përmendet emri në Kuran. Sa e sa të panumërt janë të papërmendurit!

Edhe ata të 25-të, për njërin thanë: “i çmendur”, tjetrit i thanë: “të shohim në humbje”, dikujt: “magjistar”, tjetrit: “ty të pasojnë të vobektit ndër ne”, ndonjërit: “i shkelur”, tjetrit: “poet”… thanë e thanë e kurrë nuk sosën së foluri..!

Për Zotin Një, thanë: “ka djalë”, por thanë se edhe melekët janë “bijat e Tij”, thanë: “na e trego Zotin ta shohim me sy”, thanë: “shko ti dhe Zoti yt e luftoni”… çfarë nuk thanë, çfarë nuk thonë..!

Lëri krijesat në dorën e Krijuesit dhe shkruaj me heshtje lavdinë e krenarisë tënde në rrugëtimet e paqta drejt Tij!

Thuaj: “Me mua është Zoti im, Ai do të më udhëzojë!” dhe vazhdo rrugën pa kthyer kokën djathtas-majtas!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 10 korrik 2021