Meditime (35)

Kur humbet frika e Zotit..!

Kur humbet frika e Zotit..!

“Nuk është vdekja fatkeqësia më e madhe e jetës, përkundrazi, ajo është natyrë e kësaj jete! Fatkeqësia më e madhe është vdekja e frikës së Allahut në zemrën tënde, ndërkohë që ti vazhdon të jetosh në këtë jetë!”

Kur e mendon këtë urti të dijetarit erudit, Shejkh Muteveli Shaaravi, kupton sesa i rëndësishëm është besimi në Zotin dhe udhëzimi në jetë, sidomos në momente dilemash, përplasjesh, kurthesh e intrigash me personazhe të panumërt…

Realitetet e përditshme janë dëshmitari më i mirë se njeriu që nuk e njeh frikën e Zotit, është në gjendje të kapërcejë shumë kufij të imagjinatës, duke u shëmtuar në një krijesë të frikshme, por meskine, që çfarë nuk bën për të kapur fillin e ambicies së tij të sëmurë, egoizmit, epsheve të shfrenuara, mbijetesës e dredhave, edhe në kurriz të shenjtërive!

Për këtë, katastrofa më e madhe për një komb, është pikërisht atëherë kur besimi në Zot dhe morali i vërtetë i Fesë, nis të luftohet e të trajtohet me padituri si shkak i prapambetjes dhe i humbjes. Në fakt, historia e jonë njerëzore na ka vërtetuar të kundërtën!

Ja, populli i degraduar i Hz. Lutit, në shthurrjen e tyre morale dhe njerëzore, bërtisnin me të madhe duke bërë me gisht nga besimtarët: “Ata janë njerëz që duan të pastrohen”..!?

Sa e sa panorama të ngjashme përsëriten sërish në historinë tonë, në kohën tonë, në realitetet tona pa dinjitet e pa moral..!?

Sot, është koha e kthimit nga Zoti, e pendimit, e vullnetit për të ndryshuar, e aftësisë për të mos u dorëzuar, e mundësisë për të mos e mbajtur kokën ulur, përderisa ajo qëndron mbi supe!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, më 14 korrik 2021