Meditime (36)

"O biri im, mos u trego ëndrrën tënde vëllezërve tu..!"

“O biri im, mos u trego ëndrrën tënde vëllezërve tu..!”

Kohë më parë, Shejkh Ahmed Isa El-Misravi, prej hoxhallarëve bashkëkohorë nga Misiri, pat shpërndarë një mesazh në një rrjet social, të cilin e solla në shqip, edhe si një këshillë a ftesë miqësore për miqtë dhe lexuesit e mi.

Këshilla e hoxhës ishte, si më poshtë:

“Për të gjithë përdoruesit e rrjeteve sociale:

Meditoni pak në ajetin 5 të sures Jusuf: ‘O biri im, mos u trego ëndërrën tënde vëllezërve tu, se po të bëjnë ndonjë dredhi, s’ka dyshim, djalli për njeriun është armik i hapët’.

Nëse përpara vëllasë tënd je i udhëzuar të fshehësh disa nga mirësitë e tua, si mendon për të huajin?

Prandaj, ruajini sekretet e shtëpive tuaja dhe lëreni mënjanë mburrjen!”

Realisht, kjo është një ftesë e urtë dhe largpamëse, që i drejtohet shumëkujt, që edhe me nijetin e mirë (të cilin nuk e vë në dyshim), publikon foto të familjes, fëmijëve, në gëzim e në udhëtim, në tryezë të ushqimit e në dhomë të ndejes, në krahët e bashkëshortes e në krahët e tij, në plazh e në piknik, këtu e atje.

Dallim i madh në mes asaj që realisht ti përjeton me familjen tënde dhe asaj që shpërndan para gjithkujt, në rrjetet sociale!

Ka ca gjëra që hyjnë tek privatësitë, të cilat nuk duhet dhe nuk shkon t’i tregohen botës, përtej çdo nijeti të mirë!

Dedikime krejtësisht private, foto që duhet me pasë marre ne i pa edhe fotografi që i zhvillon në laborator (e që, në thelb nuk duhen shkrepur fare!), shkrepje të pavëmendshme e të ngjashme, që nuk duhet t’i shohë bota, përndryshe ku është perdja e turpit, e namusit, e xhelozisë, e privatësisë dhe ruajtjes?

Kjo është e para, më e rëndësishmja dhe, patjetër, më thelbësorja, që lidhet edhe me formimin dhe tabanin, të cilin nuk bën ta tjetërsojmë, duke shkuar verbërisht pas filozofisë së turmës së hutuar!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 17 korrik 2021