
Fetarizmi pa bosht, prodhon realitete të hutuara!
(Mesazhe nga dersi i Kurban Bajramit, më 20 korrik 2021, në xhaminë e Parrucës)
Bajrami i vërtetë është thirrja e brendshme për t’u kthyer tek feja e jonë derisa të kthehet flamuri ynë i humbur dhe domosdoshmëria për të qenë pjesë e një ymeti të fortë e të bashkuar, prijës i të cilit është Hz. Muhamedi (a.s)!
Fetarizmi pa shpirt e pa ndjesi, pa bosht e pa ekuilibër prodhon realitete të hutuara.
Muslimanët e këtij vendi sot, janë më të paorganizuar e më të papërfaqësuar se asnjëherë më parë, që do të thotë se nevoja për rizgjim e rimëkëmbje është obligim!
Duhet të punojmë me të gjitha forcat për të ruajtur ekuilibrat e besinit dhe fesë, të ndërtojmë ura të forta komunikimi e harmonie brenda familjes së madhe islame dhe me bashkëqytetarët e tjerë, mbi bazat e udhëzimit kuranor, si dhe të mos bëhemi palë me këdo në dëm të interesit të besimit e fesë!
Fryma e tolerancës, harmonisë e bashkëjetesës mbi baza të njohjes reciproke dhe nderimit, si vëllezër në shumë drejtime, duhet të na prijë përherë, mbështetur mbi bazat e dinjitetit e krenarisë legjitime!
Të lexojmë drejtë e thellë mesazhin e fesë dhe të ruajmë frymën e vëllazërisë, duke u distancuar nga tendencat përçarëse që burojnë nga laboratorët e së keqes, që punojnë kundër interesave të njerëzimit!
Traditat e Resulullahut (a.s) janë sistem jete na lartësojnë, jo komplekse izoluese që na kthejnë në njerëz të ngurtë e të distancuar nga jeta e marrëdhëniet e qytetëruara!
Të punojmë me të gjitha forcat për të mirën e fesë dhe paqes sociale dhe mos ta kthejmë pabesinë dhe goditjet pas shpine të kujtdo, me të cilin komunikojmë me dinjitet, në shtysë për të deformuar sistemin tonë të vlerave! Mos u merrni me ata që ditë pas dite ju provokojnë dhe ju shajnë fenë e shenjtëritë nëpërmjet rrjeteve sociale, por të lutemi për ta që Allahu t’i udhëzojë drejt fesë së Tij, udhëzimit e çlirimit nga komplekset e inferioritetit!
Të kthehemi nga traditat tona dhe të refuzojmë tendencat e hibridizimit të fesë dhe fetarizmit, sepse këtë fé e ruan Allahu i Madhëruar, ndërsa ne jemi të ftuar të jemi përkrahësit e rrugës së Tij, siç na mëson nëpërmjet thirrjes së Hz. Isait (a.s) në Kuranin Famëlartë!
Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, 21 korrik 2021