Si sot, 4 vjet më parë…

Si sot, 4 vjet më parë…

Koha kalon, nuk na pret. Shkon bashkë me shumësinë e detajeve, që krijojnë mozaikun e secilit prej nesh. Dikush me shumë ngjyra të ndezura e plot dritë, siç mozaiku që le pas në mes nesh. Dikush e dikush…

Si sot, 4 vjet më parë, të dy po ktheheshim me një linjë fluturimi nga Stambolli drejt Tiranës. Çuditërisht, jashtë vullnetit tonë, nuk rrinim ngjitur me sedilje, madje edhe në hapësira të ndarë… Unë i përkufizuar në një kabinë, shpirti yt, i lirë e drejt hapësirave të pamatura e të papërfytyruara të shtegtimit drejt të përtejmes…

Atë ditë po ktheheshim të dy në Shkodër, pas rreth dy javësh larg… U ndamë, për të mos u takuar më në këtë botë… Atë ditë të 24 nëntorit 2020, po të shoqëronim për në vendpushimin e fundit të kësaj bote…

Nga ajo ditë, mbetën vetëm kujtimet, hija e mirë, buzëqeshja e serioziteti i Haxhi Babës, të gdhendura në memorie, të skalitura në mirazhet e fluturimeve të shpirtit…

Ishe dhe mbete prekje dhe gjurmë e papërlyer e një shumësie virtytesh, që ma shtojnë përherë e ma shumë dashninë e përuljen para këtij Bekimi, me të cilin asht rrethu rrugëtimi im në jetë!

Mirë u pjekshim në ahiret!

Djali i H. Bardhyl Haki Hoxhës (Sytari)
24 nëntor 2024