“Kthimi tek All-llahu nuk është thjeshtë një fjalë që e themi, si zgjidhje e realiteteve tona! Kthimi tek All-llahu do të thotë kalim nga injoranca në dije, transferim nga përçarja në njësim, kthim nga armiqësia dhe urrejtja në dashamirësi dhe dashuri!
Përderisa armiqësitë, urrejtja, veprat e ulëta, përgojimi, gënjeshtra dhe sjellja e keqe ndodhen në mes nesh, kjo do të thotë se, kthimi ynë tek All-llahu është thjeshtë një dëshirë ëndërrimtare: “… ata nuk ndjekin tjetër vetëm se hamendësime, e hamendësimi nuk vlen asgjë ndaj së vërtetës!” – (Kur’ani, En-Nexhm: 28)”
“Nëse duam kthimin e vërtetë tek All-llahu, detyrim e kemi të mësojmë shkencat e ndryshme, të spikasim në veprat që kryejmë, të lartësohemi me sjelljen tonë, me përkushtim e korrektësi, si dhe me sinqeritet ndaj All-llahut; fshehtas dhe haptas!”
“All-llahu i Madhëruar thotë në Kur’anin Famëlartë: “Ata që nuk besuan, shpenzojnë pasurinë e tyre për të penguar nga rruga e All-llahut.” – (Kur’ani, El-Enfal: 36)
Po muslimanët, a e shpenzojnë pasurinë e tyre për të udhëzuar nga All-llahu?”
Shejkh Ahmed Keftaro
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 12 gusht 2016